|
Ekspozite pikture dhe fotografike per mjedisin |
|
 Mendo Gjelbër – Siguro të Ardhmen, ishte tema e ekspozitës së parë me piktura dhe fotografike organizuar nga PNUD-i me studentët e Akademisë së Arteve me 4 dhjetor 2008. Ky aktivitet u organizua për të rritur shkallën e ndërgjegjësimit për pikat e nxehta mjedisore në Shqipëri. Marin Marika fitoi çminin e Parë për vizionin e tij për naturën që rrezikon të perceptohet në të ardhmen nëpërmjet kompuiterave, nëse nuk mësojmë të respektojmë mjedisin si e mira e jonë e përbashkët. Fituesit u shpallën gjatë ceremonisë së hapjes së ekspozitës në prezencë të ministrit të Mjedisit, z.Lefter Xhuveli, drejtorit të zyrës së PNUD-it në Shqipëri, z.Norimasa Shimomura, zv/ambasadores së Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Shqipëri, znj. Ardi Stoios-Braken, studentë, përfaqësues të medias dhe OJQ-ve mjedisore. Konkursi u zhvillua gjatë periudhës 22 Tetor-22 Nëntor me pjesëmarrjen e 60 studentëve. Një juri e përbërë nga artistë të mirënjohur shqiptarë përzgjodhi 15 finalistë. Ndonëse përdorërn stile të ndryshme, artistët e rinj përcollën me sukses mesazhin: Mendo Gjelbër- Siguro të Ardhmen. Gjatë ceremonisë u shpërndanë Çmimi i Parë, i Dytë, i Tretë dhe ai Inkurajues.
Ministri Xhuveli përgëzoi studentët për punimet duke theksuar rëndësinë e transmetimit të mesazheve në mbrojtje të mjedisit nëpërmjet artit. Ai ripërsëriti gjithashtu angazhimin e qeverisë shqiptare për të ngritur standartet mjedisore shqiptare në nivelin e atyre të Bashkmit Europian. Zoti Shimomura tha se PNUD-i është plotësisht i angazhuar në procesin e vlerësimit dhe rehabilitimit të pikave të nxehta mjedisore në Shqipëri. Ai komentoi gjtiashtu rolin e rëndësishëm që luajnë artistët për t’i përcjelljë shoqërisë mesazhe duke vënë në dukje se “shpesh herë gjatë rrjedhës së historisë njerëzore artistët kanë qenë në pararojë të ndryshimeve sociale”. Zv/ambasadorja Stoios-Braken falenderoi studentët për pjesëmarrjen në këtë aktivitet dhe theksoi rolin e rëndësishëm të luajtur nga ata për të rritur ndërgjegjen qytetare ndaj çështjeve të mbrojtjes dhe ripërtëritjes së mjedisit në Shqipëri. |