|
Objektivat kryesore te Projektit te Bajzes |
|
|
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin (UNDP) dhe ministria e Mjedisit Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave kanë ndërmarrë një Projekt për rehabilitimin e pikës së nxehtë mjedisore në stacionin hekurudhor të Bajzës, 15 km larg Shkodrës, dhe në afërsi të liqenit të Shkodrës, ku kanë qenë depozituar pesticide dhe kimikate të skaduara. Objektivi kryesor i Projektit është garantimi i zhvillimit mjedisor të qendrueshëm në këtë rajon dhe inkurajimi i politikave mjedisore të qenësishme në nivel lokal dhe qendror. Projekti është konceptuar në tri faza.
Fillimisht do të bëhet pastrimi i pikës së nxehtë mjedisore, gjë që do të mbështetet nga një fushatë sensibilizuese e fokusuar si dhe do të bëhen përpjekje për krijimin e kapaciteteve lokale nëpërmjet kurseve dhe seminareve intensive të trajnimit. Me qëllim forcimin e mekanizmave të mirëqeverisjes në nivel qendror dhe local një vemendje e vecantë do t'i kushtohet rritjes së shkallës së informimit.
Ekziston gjithashtu nevoja e koordimimit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM) me Vlerësimin Strategjik në Mjedis (VSM), si mekanizma të qenësishëm për zbatimin e politikave përkatëse. Për sa i përket përpjekjeve për rritjen e kapaciteteve kombëtare për hartimin dhe zbatimin e politikave mjedisore, do të bëhet një vëzhgim i tregut për sigurimin e shërbimeve mjedisore profesionale dhe mbi bazën e rezultateve të tij do të identifikohen nevojat për trajnim si dhe do të krijohet një bazë të dhënash me ekspertë mjedisorë të kualifikuar.
Rezultatet e pritshme janë pastrimi dhe rehabilitimi i plotë i pikës së nxehtë mjedisore të Bajzës nga pesticidet dhe kimikatet e skaduara; rritja e kapaciteteve në nivel qendror dhe lokal për trajtimin me profesionalizëm të problemeve mjedisore;rritja e shkallës së integrimit të politikave në nivel qendror dhe lokal për ta bërë më efektive zgjidhjen e problemeve mjedisore si dhe intensifikimin e fushatës ndërgjegjësuese për ceshtjet e mjedisit nëpërmjet informimit cilësor të publikut.
|
|